Armët pa leje janë dukuri në rritje në Kosovë. Sipas një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi, ndëshkimet e lehta bëjnë që qytetarët të kenë në posedim armë pa leje, ndonëse konsiderohet se shumë nga krimet e viteve të fundit janë kryer pikërisht nga armët e paligjshme. Nga të dhënat e vitit 2018, thuhet se në vendin tonë janë mbi 392 mijë armë pa leje.
Mijëra armë pa leje vazhdojnë të jenë në duart e qytetarëve të Kosovës. Sipas një raporti të vitit 2018, të organizatës ndërkombëtare Small Arms Survey, në Kosovë qarkullojnë mbi 392 mijë armë të paligjshme.
Sipas këtij studimi, në Kosovë çdo vit hyjnë 1200 deri në 1300 armë pa leje, tendencë kjo në rritje. Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se kjo dukuri është një shqetësim serioz i shoqërisë kosovare.
“Disa raporte ndërkombëtar të vitit 2018 kanë theksuar se çështja e armëmbajtjes pa leje është një dukuri shqetësuese në Kosovë për shkak se konsiderohet që janë afërsisht mbi 400 mijë në duart e qytetarëve të Republikës së Kosovës e që afër 400 mijë prej tyre konsiderohen se janë pa leje. Çështja e mbajtjes së armëve nga qytetarët e Republikës së Kosovës paraqet një rrezik permanent për sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në raste të caktuara mund të konsiderohet se edhe ka qenë arsyeja e vrasjeve të ndryshme”, thotë ai.
Pikërisht për armëmbajtjen pa leje, ky institut ka publikuar raportin “Dënimet me gjobë- leje për armëmbajtje”, sipas të cilit, ndonëse ligji parasheh dënimet për këtë vepër, dënimet e shqiptuara kanë qenë më tepër jashtëligjore.
“Lidhur me politikën ndëshkimore të këtyre rasteve nga kjo analizë rezulton se dënimet kanë qenë kryesisht me gjobë, nga 147 raste të armëmbajtjes pa leje vetëm një është shqiptuar me burg, konkretisht nga 147 raste të armëmbajtjes pa leje janë shqiptuar 128 dënime me gjobë, 18 dënime me kusht, ndërsa vetëm në një rast është shqiptuar dënim me burgim”.
