Kosova i vazhdon mandatin teknik EULEX-it – Osmani kërkon transparencë dhe përputhshmëri me të drejtat e njeriut

Para 10 muaj

Prishtinë, 16 Qershor 2025 – Presidenca e Kosovës ka njoftuar se sot, përmes shkëmbimit të letrave me Bashkimin Evropian, është vazhduar mandati teknik i misionit të EULEX-it në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar, në letrën dërguar Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, znj. Kaja Kallas, Presidentja Vjosa Osmani ka nënvizuar se mandati i ri nuk përfshin fuqi ekzekutive dhe mbetet i fokusuar në monitorim, mentorim dhe këshilldhënie.

Në letrën e saj, Presidentja Osmani ka kërkuar gjithashtu:

  • Dorëzimin e të gjitha dokumenteve që EULEX-i posedon nga koha kur kishte mandat ekzekutiv.
  • Që veprimet e EULEX-it të jenë në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Të gjitha aktivitetet e misionit duhet të jenë në përputhje me standardet më të larta të të drejtave të njeriut dhe parimeve të sundimit të ligjit,” thuhet në deklaratë.

Ky mandat i ri konfirmon vazhdimin e bashkëpunimit me BE-në, ndërkohë që Kosova ruan kontrollin sovran mbi institucionet e saj të drejtësisë dhe kërkon transparencë të plotë nga misionet ndërkombëtare që veprojnë në vend.