Gjithmonë Free Palestine” – Dua Lipa shpërthen pas manipulimit nga Daily Mail

Para 7 muaj

Londër – Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka mohuar kategorikisht pretendimet se ajo ka pushuar agjentin e saj David Levy për shkak të pikëpamjeve politike lidhur me konfliktin në Gaza. Ajo i cilësoi raportimet e publikuara nga “Mail Online” dhe “Daily Mail” si “krejtësisht të rreme” dhe “manipuluese”.

Në një reagim të bërë publik, artistja me prejardhje nga Kosova u shpreh se nuk mbështet veprimet e Levy-t, por njëkohësisht kritikoi ashpër mënyrën si media i trajtoi pretendimet.

“Unë nuk i mbështes veprimet e David Levy apo të ndonjë drejtuesi tjetër muzikor ndaj një artisti që po thotë të vërtetën e tij. Por, nuk mund të injoroj as mënyrën se si kjo është trajtuar në media”, shkroi Lipa në reagimin e saj.

Ajo shtoi se artikulli i Daily Mail ishte “i rremë” dhe se gjuha e përdorur ishte qëllimisht nxitëse, duke e cilësuar si përpjekje për të shfrytëzuar një tragjedi globale vetëm për klikime.

“Gjithmonë është ‘Free Palestine’, por shfrytëzimi i një tragjedie globale vetëm për të shitur gazeta është diçka që e konsideroj jashtëzakonisht shqetësuese”, përfundoi Lipa.

Sqarim nga kompania menaxhuese

Ndërkohë, kompania që përfaqëson këngëtaren, WME (William Morris Endeavor), ka reaguar për të sqaruar se David Levy nuk është pjesë e ekipit të saj menaxhues që prej disa vitesh dhe raportimet për “largim për arsye politike” janë të pabaza.

“Këto pretendime janë kategorikisht të rreme. Levy nuk ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në menaxhimin e saj që prej vitit 2019”, u tha në reagimin zyrtar të WME.

Artikulli në fjalë u publikua fillimisht nga Mail Online, ku pretendohej se Dua Lipa kishte ndërprerë marrëdhëniet me Levy-n për shkak të një letre publike që ai kishte nënshkruar në mbështetje të Izraelit dhe kundër qëndrimeve pro-palestineze në industrinë muzikore.

Reagimi i Dua Lipës vjen në një kohë kur ajo ka qenë vokale për të drejtat e palestinezëve dhe ka shprehur vazhdimisht qëndrimin e saj me thirrjen “Free Palestine”.