Autoritetet sqarojnë rrethanat e vdekjes së 25-vjeçares nga Gjakova në Tetovë

Para 6 muaj

Një vajzë 25-vjeçare nga Gjakova, e identifikuar me inicialet S. D., ka humbur jetën mbrëmë në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, ku ishte duke studiuar në nivelin master. Rrethanat e vdekjes së saj mbeten ende të paqarta.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë, prokurori kujdestar ka kryer ekspertizë në vendin ku është gjetur trupi dhe në banesën me qira ku e reja jetonte. Nga të dhënat fillestare, nuk ka indikacione për ndonjë vepër penale, por autoritetet kanë urdhëruar obduksionin për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

“Po ndërmerren të gjitha veprimet për të hetuar shkaqet e vdekjes me kontrolle dhe ekspertiza të detajuara në vendngjarje. Të dhënat fillestare dhe gjurmët nuk tregojnë se bëhet fjalë për vdekje si pasojë e një vepre penale. Megjithatë, hetimet po vazhdojnë dhe disa persona do të merren në pyetje”, thuhet në njoftimin zyrtar të prokurorisë,

Hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet, ndërsa pritet që rezultatet e obduksionit të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit tragjik.