Në prani të familjarëve, shoqërisë dhe pjesëmarrësve të tjerë, sot në Kaçanik iu dha lamtumira e fundit aktorit kosovar Lulzim Rexha, i cili vdiq disa ditë më parë pas një sëmundjeje të rëndë.
Në emër të kolegëve foli Bekim Guri.
Ai tha se sot është humbur një familjar, një artist, një punëtor i jashtëzakonshëm dhe një koleg i çmuar.
“Po e varrosim një artist, një koleg e mik tonin, një njeri të cilin e kemi dashur dhe prapë do ta duam, edhe tash kur ai është duke udhëtuar për në një botë tjetër. Sot kemi humbur një buzëqeshje, një shpirt të pastër, një njeri solidar. Luli ka pasur pafundësisht shumë miq, shumë shokë dhe shumë njerëz që e kanë dashur dhe e kanë pasur pranë,” tha Guri në ceremoninë e varrimit.
Ndryshe, aktori Lulzim Rexha vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ishte në trajtim në një klinikë në Gjermani. Rexha, për shumë vite, ishte pjesë e projekteve të ndryshme filmike dhe teatrale, si dhe aktiviteteve publike. Ai ka luajtur role të ndryshme në shfaqje teatrale që janë prezantuar në Kosovë, rajon, Evropë e madje edhe në SHBA. I ndjeri la pas vetes gruan dhe dy fëmijët.
