Trump me probleme shëndetësore në këmbë, diagnostikohet me pamjaftueshmëri venoze

Para 9 muaj

Uashington, 17 korrik 2025 – Presidenti amerikan, Donald Trump, është diagnostikuar me pamjaftueshmëri kronike venoze, një gjendje që ndikon në qarkullimin e gjakut në këmbë. Lajmi u konfirmua të enjten nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë një deklarate për shtyp në të cilën u adresuan edhe spekulime lidhur me shëndetin e 79-vjeçarit.

Sipas Leavitt, shqetësimi nisi pas vërejtjes së një “ënjtjeje të lehtë në pjesën e poshtme të këmbëve,” çka çoi në një vlerësim të plotë nga njësia mjekësore e Shtëpisë së Bardhë.

“Në përpjekje për transparencë, presidenti dëshironte që t’ju ndaja një shënim nga mjeku i tij me të gjithë ju sot,” tha zëdhënësja.

Ajo shtoi gjithashtu se mavijosjet e dukshme në duart e Presidentit nuk janë të lidhura me ndonjë problem të madh shëndetësor, por janë rezultat i një “iritimi të lehtë të indeve të buta nga shtrëngimi i shpeshtë i duarve dhe përdorimi i aspirinës” si pjesë e trajtimit parandalues për shëndetin e zemrës.

Pamjaftueshmëria kronike venoze është një gjendje e zakonshme, sidomos tek të moshuarit, ku venat e këmbëve nuk lejojnë qarkullimin normal të gjakut drejt zemrës, duke shkaktuar ënjtje, lodhje apo ndjesi rëndese në këmbë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump vijon detyrat e tij normalisht dhe do të ndjekë rekomandimet mjekësore për menaxhimin e kësaj gjendjeje.