Presidenti Donald Trump njoftoi të premten se zgjati me 75 ditë afatin për shitjen e detyruar të TikTok, duke lejuar që platforma e njohur e mediave sociale të vazhdojë të funksionojë në SHBA ndërkohë që negociatat vazhdojnë.
“Administrata ime ka punuar shumë për një marrëveshje për të shpëtuar TIKTOK-un dhe ne kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm”, shkroi Trump në Truth Social.
Trump shpjegoi zgjatjen si të nevojshme për të finalizuar miratimet e kërkuara.
“Marrëveshja kërkon më shumë punë për të siguruar që të gjitha miratimet e nevojshme janë nënshkruar, prandaj unë po nënshkruaj një Urdhër Ekzekutiv për të mbajtur TikTok në funksionim për 75 ditë të tjera”, tha ai.
Presidenti tha se SHBA “nuk duan që TikTok të “errësohet”, duke shtuar se Uashingtoni po kërkon të punojë me TikTok dhe Pekinin “për të mbyllur Marrëveshjen”.
Afati origjinal i 5 Prillit do ta kishte detyruar ByteDance, kompaninë mëmë kineze të TikTok, të largohej nga platforma ose të përballej me një ndalim në SHBA.
Trump kishte treguar më herët fleksibilitet në lidhje me afatin, duke u thënë gazetarëve të hënën: “Unë mund ta zgjas (atë) nëse dua”.
E ardhmja e TikTok ka mbetur e pasigurt pasi legjislacioni i nënshkruar nga ish-presidenti Joe Biden kërkonte që ByteDance të shesë platformën ose të ndalohet. Ligji u mbështet nga Gjykata e Lartë e SHBA, pavarësisht sfidës ligjore të TikTok.
Platforma, e cila krenohet me 170 milionë përdorues amerikanë, doli shkurtimisht jashtë shërbimit përpara inaugurimit të Trump në janar, por rifilloi shërbimin pasi Trump sinjalizoi një gatishmëri për të rishqyrtuar ndalimin.
Disa kompani amerikane, përfshirë Amazon, kanë bërë oferta për të blerë TikTok, sipas raportimeve të mediave.
