Pas më shumë se 24 orësh debat dhe përplasje të ashpra, republikanët në Senatin e SHBA-së miratuan të martën projektligjin e shumëdiskutuar për taksat dhe shpenzimet të propozuar nga ish-presidenti Donald Trump, i njohur si “One Big Beautiful”.
Vota vendimtare për miratimin e ligjit u dha nga zëvendëspresidenti JD Vance, pasi rezultati ishte i barabartë. Votimi u prit me duartrokitje dhe entuziazëm nga republikanët, ndërsa demokratët shprehën shqetësime të thella për ndikimin në deficitin buxhetor dhe programet sociale.
Projektligji tani kalon sërish për shqyrtim në Dhomën e Përfaqësuesve, ku pritet një betejë tjetër ligjore, pas miratimit fillestar me vetëm një votë diferencë nga republikanët.
Ish-presidenti Trump u kishte dhënë afat ligjvënësve republikanë deri më 4 korrik për ta përfunduar procesin, duke e konsideruar këtë akt si gurthemel për agjendën e tij ekonomike.
Megjithatë, miratimi në Senat nuk erdhi pa tensione. Tre senatorë republikanë – Susan Collins, Thom Tillis dhe Rand Paul – u bashkuan me demokratët dhe votuan kundër, duke kritikuar shpenzimet e larta dhe mungesën e transparencës për ndikimin financiar të projektligjit.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, u përball me presion të brendshëm, pasi humbi mbështetjen e disa senatorëve nga vetë partia e tij.
Tani mbetet të shihet nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të japë dritën jeshile për nënshkrimin përfundimtar të ligjit nga Trump, në një moment vendimtar për balancat ekonomike dhe politike në SHBA.
