Vjosa Osmani ka reaguar ashpër ndaj akuzave dhe spekulimeve për pjesëmarrjen e saj në një takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor me zyrtarë amerikanë në Nju Jork, duke i quajtur ato “gënjeshtra të fabrikuara nga manipulues profesionistë”.
Gjatë platformës “HAJDE FOLIM”, Osmani tha se takimi kishte qenë zyrtar dhe publik, i organizuar nga zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Scott Bessent dhe Richard Grenell. Ajo mohoi pretendimet se takimi ishte mbajtur fshehtë apo organizuar nga gazetari Baton Haxhiu.
Presidentja theksoi se në takim kishin marrë pjesë edhe ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, si dhe liderë të tjerë rajonalë, përfshirë presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Osmani kritikoi edhe mungesën e transparencës në takimet me presidentin serb Aleksandar Vučić dhe emisarin evropian Miroslav Lajčák, duke thënë se për ato takime “nuk kishte dëshmitarë dhe as transkripte”.
“Nëse ata kanë propagandën, ne kemi të vërtetën”, deklaroi Osmani në fund të reagimit të saj.
