Kandidimi i Osman Musliut ndez polemika: Nga “hoxha kundër radikalizmit” te politika

Para pak minutash

Kandidatura e Osman Musliut në listën e Vetëvendosjes nuk është kurrfarë befasie për ata që e kanë përcjellë me kujdes rolin e tij ndër vite.

Osman Musliu nuk është ngritur si figurë fetare që ka sfiduar pushtetin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Përkundrazi, në diskursin publik ai shpesh është parë si i afërt me rryma dhe narrativa politike që kanë dominuar në periudha të ndryshme.

Për vite me radhë është promovuar si “hoxha kundër radikalizmit”, duke akuzuar vazhdimisht rryma të caktuara brenda jetës islame në Kosovë. Në një periudhë kur debati për radikalizmin dhe stigmatizimi i myslimanëve ka qenë i pranishëm në opinion, figura si Osman Musliu janë bërë të pranueshme në hapësirën publike, duke artikuluar shpesh qëndrime që janë lexuar si të përafërta me diskursin dominues të kohës.

Sot po shihet edhe në opinion si një lloj shpërblimi politik për atë qasje.

Në një rast të mëhershëm, Musliu kishte përdorur gjuhë të ashpër ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me punësimin e vajzës së tij, duke i quajtur “matrapazë e dallaverxhi”.

Po ashtu, në opinion janë rikthyer edhe pretendime dhe kundërpërgjigje të ndryshme lidhur me disa rrëfime të mëhershme historike, për të cilat ekzistojnë versione të ndryshme nga persona të përfshirë në ato zhvillime.

Debati rreth kandidaturës së tij po shihet si pjesë e diskutimit më të gjerë për raportin mes figurave fetare dhe angazhimit politik, si dhe kufirin mes këtyre dy roleve në shoqëri.