Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë që parashihte pagesën prej 3 euro në ditë për personat shoqërues të pacientëve mbi 15 vjeç gjatë qëndrimit në spital. Vendimi erdhi pas padisë së ngritur nga IKD, e cila argumentoi se personat shoqërues nuk janë përfitues të shërbimeve shëndetësore dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ngarkohen me bashkëpagesë.
Gjykata vlerësoi se Ministria e Shëndetësisë kishte tejkaluar kompetencat ligjore duke krijuar një detyrim financiar pa bazë të qartë në Ligjin për Shëndetësi. Sipas aktgjykimit, bashkëpagesa mund të aplikohet vetëm ndaj personave që marrin drejtpërdrejt shërbime shëndetësore, ndërsa prania e familjarëve në spitale lidhet me mbështetjen e pacientëve.
Po ashtu, Gjykata theksoi se tarifimi i shoqëruesve cenon qasjen e barabartë në kujdes shëndetësor dhe se aktet nënligjore nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi pa bazë ligjore.
