Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas letrës së dërguar nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka shprehur gatishmërinë për një marrëveshje politike dhe koalicion bashkëqeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas pyetjeve nga gazetarët, Abdixhiku u tregua i matur dhe i përmbajtur, duke theksuar se fillimisht do të shkojë në zyrë për ta parë letrën dhe më pas do të japë një përgjigje. “Kom marrë një letër. Do të kthej përgjigje. Lejomëni të shkoj në zyre ta shoh letrën njëherë dhe do të kthej përgjigje me kohë,” u shpreh ai.
Kreu i LDK-së gjithashtu u bëri thirrje anëtarëve të partisë së tij që të ruajnë qetësinë në këtë fazë delikate politike. “I lus edhe njerëzit tanë që gjendjen e tanishme ta trajtojmë pa arrogancë dhe të kthejmë një përgjigje zyrtare, qysh i takon një partie,” tha Abdixhiku.
Ndërkohë, në letrën e tij drejtuar LDK-së, Kurti shkruan se është “i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike” dhe thekson se “koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime”. Ai shprehet i bindur se baza elektorale e të dyja partive është në favor të këtij bashkëpunimi: “Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë?”
Tash për tash, mbetet të shihet cili do të jetë qëndrimi zyrtar i LDK-së ndaj kësaj ftese politike që vjen në një moment vendimtar për zhvillimet në vend.
