Masakra e Reçakut nuk ka qenë kurrë një ngjarje e paqartë, as në faktet e saj dhe as në domethënien historike. Më 15 janar 1999, 45 civilë shqiptarë të Kosovës u masakruan nga forcat serbe. Të gjithë viktimat ishin banorë të fshatit Reçak dhe të gjithë ishin shqiptarë që përkisnin besimit islam. Ky nuk është interpretim ideologjik, por fakt demografik, kulturor dhe historik.
Kur ambasadori William Walker, atëkohë shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, e shpalli publikisht Reçakun si krim kundër njerëzimit, ai e dinte saktësisht se kush ishin viktimat. Ai e dinte se ishin myslimanë. Megjithatë, Walker nuk i ndau viktimat në baza fetare, sepse qëllimi i tij ishte politik dhe human: të dëshmonte se bëhej fjalë për civilë shqiptarë të pafajshëm, të vrarë në mënyrë sistematike. Pikërisht kjo qasje universale dhe e qartë e bëri Reçakun pikë kthese ndërkombëtare për Kosovën.
Por 24 vjet më vonë, në ceremoninë përkujtimore të 15 janarit 2023, u hap një debat i panevojshëm dhe i ndjeshëm. Akademia përkujtimore u organizua nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe nga institucionet shtetërore, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime. Në këtë ceremoni zyrtare, u interpretua kënga “Hallelujah”, një vepër me origjinë të njohur në traditën kulturore kristiane.
Këtu lind pyetja thelbësore: pse politika shtetërore e Kosovës vendosi të përdorë një simbolikë të tillë në një përkujtim ku të gjithë të vrarit ishin myslimanë?
Problemi nuk qëndron te kënga si vepër artistike. “Hallelujah” është e njohur globalisht dhe shpesh interpretohet në kontekste solemne. Problemi është konteksti. Reçaku nuk është një ceremoni kulturore apo artistike. Reçaku është vendi ku u bë krimi, dhimbjeje dhe kujtese historike. Kur simbolika e zgjedhur nuk përputhet me identitetin real të viktimave, ajo pushon së qeni neutrale. Në këto kushte, ajo shndërrohet në një vendim politik.
Neutraliteti fetar nuk nënkupton fshirjen e fakteve. Të jesh neutral do të thotë të mos favorizosh një besim mbi tjetrin, jo të imponosh simbole që nuk lidhen me jetën, kulturën dhe realitetin e atyre që po përkujtohen. Nëse synimi ishte neutraliteti, zgjedhja më e drejtë do të kishte qenë një formë pa ngarkesë fetare: heshtje solemne, muzikë instrumentale ose simbolikë universale që nuk krijon përjashtim emocional.
Zgjedhja e “Hallelujah” ishte një akt i vetëdijshëm, i bërë nga organizatorë institucionalë, dhe si i tillë duhet të analizohet. Pyetja nuk është fetare, por politike dhe simbolike: kujt i intereson që Masakra e Reçakut të zhvishet nga identiteti real i viktimave dhe të paraqitet si një dhimbje abstrakte, universale, pa rrënjë konkrete?Rasti i Reçakut ka qenë gjithmonë një krim kundër civilëve shqiptarë, një dëshmi e spastrimit etnik dhe një moment kyç që e vuri Serbinë përballë përgjegjësisë ndërkombëtare. Çdo zhvendosje simbolike që e mjegullon këtë të vërtetë, sado e vogël të duket, rrezikon relativizimin historik.
Masakra e Reçakut nuk ka nevojë për reinterpretim estetik apo fetar. Ajo ka nevojë për respekt, saktësi dhe ndershmëri historike. Viktimat nuk kërkojnë universalizim artificial, por kujtesë të drejtë dhe dinjitet.
Pyetja që mbetet është e thjeshtë dhe legjitime: a i shërbeu kjo zgjedhje kujtimit të viktimave, apo komoditetit simbolik të politikës së sotme?
Pergaditi Artë Ramiqi
