Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin francez për Evropën, Benjamin Haddad, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër.
Përmes një postimi në platformën “X”, Kurti bëri të ditur se në takim është biseduar për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Francës, çështjet e sigurisë, zhvillimet rajonale dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.
“Jam mirënjohës për mbështetjen e Francës si një anëtare kyçe e BE-së dhe për vlerat tona të përbashkëta që udhëheqin partneritetin tonë,” ka shkruar Kurti.
Samiti i Procesit të Berlinit po zhvillohet me pjesëmarrjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ku po diskutohet bashkëpunimi rajonal, integrimi evropian dhe zhvillimi ekonomik i rajonit.
