Debat për UÇK-në: reagon Fatmir Lima pas polemikave rreth Tahir Sinanit

Para pak minutash

Në rrjetet sociale është rikthyer debati për disa pretendime lidhur me pjesëmarrjen e disa figurave në Luftën e Kosovës, përfshirë Dritan Gogjan dhe ushtarakë të tjerë, si dhe dëshmorin Tahir Sinani.

Në disa postime është shpërndarë një dokument i paverifikuar ku pretendohet se disa pjesëmarrës në luftë janë përmendur si “mercenarë të paguar për të marrë pjesë në luftë”. Këto pretendime kanë nxitur reagime dhe kundërshtime të forta në opinion.

Në këtë kontekst, ka reaguar edhe Fatmir Lima, i njohur si “Komandant Çeliku”, i cili ka mbrojtur figurën e Tahir Sinanit dhe rolin e tij në luftë.

Në një postim të tij, Lima ka thënë se nuk duhet të preken “themelet e lirisë për interesa të përditshme”, duke theksuar se Tahir Sinani është hero kombëtar dhe simbol i qëndresës së UÇK-së. Ai ka shtuar se Sinani ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e luftës dhe kujtesën kombëtare.

“Lavdi Tahir Sinanit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, ka përfunduar ai reagimin e tij.