Është detyra e çdo prindi që fëmijës t’i mungojë diçka.
Përndryshe, nëse nuk i mungon asgjë, për çfarë shërben kureshtja? Për çfarë i duhet zgjuarsia? Ç’dobi ka talenti? Për çfarë të duhen të gjitha ato që ke në këtë kuti magjike (trurin)? Nuk të hyjnë në punë për asgjë, apo jo?
Nëse të shërbejnë dhe të llastojnë, të zgjojnë në 7 pa një çerek, të çojnë e të marrin nga shkolla, të kanë ulur në kolltuk… kjo është një çmenduri e papërballueshme pedagogjike.
Por, a ka një arsye logjike për të pasur kurajon që të thuash jo?
Mua më kujtohet ende edhe sot, pas shumë vitesh, një 1-sh në matematikë. Nuk më kujtohen asnjë nga ato qindra 6-a që kam marrë, sepse 6-a nuk më thotë asgjë. Është rutinë, e zakonshme, mediokre.
I thashë babait tim kur shkova në shtëpi: “Ba, mora 1-sh në matematikë!”
Mendoja se do të shpërthenin rrufe e vetëtima, dhe s’di çdo bëhej në shtëpi. Por ai më tha:
“Fantastike! Katra marrin të gjithë, por njësh? S’e kisha dëgjuar kurrë! Kjo do të thotë që ke talent, or çun.”
Pastaj hoqi ironinë dhe u bë serioz:
“Mundohu ta përmirësosh deri në qershor, përndryshe do të kesh një verë të shpifur sepse do të mësosh.”
Pikë. Nuk folëm më asnjë fjalë tjetër.
Sepse ai kishte besim tek unë. Dhe kur ke besim te fëmija yt, nuk ke pse ta ndihmosh, nëse është i zoti, ia del vetë mbanë.
Unë mund të ndihmoj një zonjë 94 vjeçare që të kalojë rrugën. Po një 18-vjeçar?
Maksimumi mund t’i them:
“Je në linjë? Ja, kjo është rruga. Suksese në jetë!”
Mund të rekomandosh një njeri në vështirësi, por jo një djalë të ri. Përse duhet të futësh mik për të? Se nuk ia del dot vetë? Ç’mesazh i japim? “Meqë ti nuk je i zoti, të ndihmon babai”?
Shumë herë e kam dëgjuar prindin të thotë:
“Duhet ta sistemoj (rregulloj) djalin tim.”
“Ta sistemosh?” Ku po e sistemon? Brenda në bufe? Sipër dollapit?
Po ti ke sjellë në jetë një send, një objekt, apo një qenie me shpirt? Nëse është kjo e fundit, nuk ka nevojë të sistemohet diku – shpirti shkon atje ku di të shkojë.
Edukimi nuk ka lidhje me demokracinë. “Duhet t’i udhëheqim ne, sepse ata janë më të vegjël.”
Në një pellg, rosat e vogla ndjekin rosën nënë, njëra pas tjetrës. Keni parë ndonjëherë rosën të ecë pas rikave? E pamundur. Është kundër natyrës. Sepse rosat janë më inteligjente se ne.
𝐍𝐠𝐚 𝐏𝐚𝐨𝐥𝐨 𝐂𝐫𝐞𝐩𝐞𝐭
#Gazeta Reale
