Ku shkojnë mërgimtarët, pse në Kosovë nuk rrinë?

Para 4 muaj

Ku shkojnë mërgimtarët, pse në Kosovë nuk rrinë?

Shkruan:Artë Ramiqi

Kosova po zbrazet. Jo vetëm nga të rinjtë që po largohen çdo ditë në kërkim të një jete më të mirë, por edhe nga shpresa, besimi dhe perspektiva për të ardhmen. Ky realitet nuk është rastësi. Ai është pasojë e zgjedhjeve politike, e votave të dhëna pa kushte dhe e një shoqërie që po jeton nën hijen e populizmit.

Zgjedhjet e fundit treguan një paradoks të madh: një pjesë e konsiderueshme e mërgimtarëve, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që nuk e përjetojnë përditshmërinë e saj të vështirë, e votuan qeverinë në pushtet pa asnjë kriter, pa kërkuar llogaridhënie, pa kushte për të ardhmen e vendit. Ndërkohë, qytetarët brenda Kosovës po përballen me varfëri ekstreme, mungesë prodhimi, mungesë të vendeve të reja të punës dhe me një shtet që nuk arrin t’u sigurojë as minimumin jetik.

Të rinjtë po ikin masivisht. Universitetet janë duke u zbrazur. Është janar i vitit 2026 dhe ende konkurset për studentë janë të hapura, sepse nuk është arritur numri i kërkuar i aplikantëve. Kjo nuk ndodh sepse nuk ka të rinj, por sepse ata kanë vendosur të mos e lidhin të ardhmen e tyre me Kosovën. Ata e shohin ikjen si të vetmen perspektivë.

Kriza nuk kursen as institucionet më bazike të shtetit. Edhe ushtria e Kosovës, FSK-ja, gjatë vitit 2024/2025 është raportuar disa herë se përballet me mungesë ushqimi cilësor për ushtarët. Kjo është një shenjë alarmi për gjendjen ekonomike dhe funksionale të shtetit.

Shoqëria kosovare sot jeton në një gjendje mjegulle: mes varfërisë reale dhe retorikës politike që e riciklon veten. Populizmi ka zëvendësuar politikat konkrete, ndërsa qytetari i zakonshëm është lënë i vetëm përballë mjerimit.

Një pjesë e mërgimtarëve shqiptarë të Kosovës, që u larguan gjatë viteve të okupimit për shkak të dhunës dhe vështirësive ekonomike, dikur e ndihmuan vendin me financa. Por sot, edhe ata duket se jetojnë më shumë në nostalgji sesa në realitet. Të dehur nga këngët popullore, qiftelia dhe lahuta, ata e shohin Kosovën si kujtim emocional, jo si përgjegjë politike. Mos-pjesëmarrja e tyre në luftë dhe distanca nga përditshmëria e sotme i bën votat e tyre të shkëputura nga pasojat reale.

Gjatë zgjedhjeve të dhjetorit, shumë prej tyre erdhën për pushime në vendin e të parëve dhe, pa asnjë kusht, votuan qeverinë në pushtet. Ata nuk kërkuan plane zhvillimi, as llogari për varfërinë, thjesht gjetën “babën” simbolik që kishin lënë pas vite më parë, në shtëpitë e vjetra të fshatit apo qytetit. Një dashuri pa kushte e njëjta u reflektua edhe te të moshuarit, të cilët e panë te pushteti figurën e djalit që u kishte munguar kur kishte shkuar në gurbet.

Sot, sheshet e Kosovës janë të zbrazëta. Kafenetë kanë marrë pamjen e zymtë dhe frekuentohen kryesisht nga “varfnjakët vendorë”. Mërgimtarët po largohen sërish, po kthehen në vendet ku jetojnë, ku i kanë martuar fëmijët, ku përpiqen t’i ngjajnë evropianve. Ndërsa qytetarët e Kosovës mbesin këtu , në tokën që u përket, në baltën e rrugëve pa rrymë, në varfëri dhe me një shpresë të vrarë.

Kjo është Kosova e sotme: një vend që po humb njerëzit e vet, jo sepse ata nuk e duan, por sepse nuk po u jep arsye të qëndrojnë.