Komisioni Evropian ka gjobitur platformën X të Elon Musk me 120 milionë euro, duke e bërë këtë gjobë të parën të vendosur sipas Ligjit të BE-së për Shërbimet Digjitale (DSA). Sipas Komisionit, X ka shkelur rregullat e transparencës për reklamat dhe ka krijuar konfuzion duke përdorur simbolin blu të verifikimit për llogari me pagesë, duke i paraqitur ato si të verifikuara në mënyrë të rreme. Hetimet zbuluan edhe mungesë qasjeje për studiuesit në të dhënat publike të platformës.
BE-ja po vazhdon hetimet e tjera ndaj X, sidomos për menaxhimin e përmbajtjeve të paligjshme dhe manipulimin e informacionit. Vendimi i gjobës ka shkaktuar reagime në SHBA, ku Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me tarifa të reja ndaj vendeve që, sipas tij, dëmtojnë teknologjinë amerikane. Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance e ka quajtur këtë vendim “sulm ndaj kompanive amerikane”.
Në Gjermani, ministri i Çështjeve Digjitale Karsten Wildberger e përshëndeti vendimin e BE-së, duke thënë se ligjet digjitale duhet të zbatohen njësoj për të gjithë, por shtoi se gjoba ndaj X mund të jetë tepër e lartë. Ai theksoi se Evropa duhet të përqendrohet më shumë në inovacion dhe zhvillim të teknologjisë për të ruajtur sovranitetin digjital.
