Raporti i autopsisë për dizajnerin e njohur Festim Isufi, i cili u gjet pa shenja jete më 9 maj në banesën e tij në Rrugën B në Prishtinë, ka përfunduar.
Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar Ditor Haliti- zëvendësdrejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), duke thënë se dokumenti tashmë është i gatshëm, por nuk ka informacion nëse është dorëzuar tek Prokuroria.
“Raporti i autopsisë për Festimin ka përfunduar. Nuk e di nëse e ka marrë ende Prokuroria, pastaj ata vazhdojnë me hetime,” tha ai.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për këtë rast të rëndë.
Nga ana tjetër bashkëshortja e Isufit, Rina Maloku-Isufi, e cila mbeti e plagosur nga therja me thikë në të njëjtin incident, është intervistuar ditë më parë nga organet e drejtësisë.

Hetimet për vdekjen e Festim Isufit dhe plagosjen e bashkëshortes së tij janë ende në vazhdim, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë për shkaqet apo motivet e mundshme të kësaj tragjedie që ka tronditur opinionin publik.
IndeksOnline ditë më parë ka vizituar edhe familjen e të ndjerit, mirëpo të njëjtit nuk kanë pranuar të japin ndonjë deklaratë, siç kanë thënë derisa t’iu dorëzohet raporti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).
