Veton Berisha: Kërkojmë drejtimin e një ministrie që ndikon në përmirësimin e jetës së komunitetit egjiptian

Para 1 vit

Deputeti Veton Berisha ka deklaruar se diskutimet me Lëvizjen Vetëvendosje për një bashkëpunim të mundshëm në formimin e institucioneve të reja janë ende në fazën e negociatave, pa ndonjë vendim përfundimtar. Ai ka theksuar se nga ana e kryeministrit Albin Kurti është shprehur gatishmëria që partisë së tij t’i ofrohet drejtimi i një ministrie me ndikim në jetën e komunitetit egjiptian.

Në emisionin “DPT te Fidani”, Berisha ka potencuar se partia e tij ka një program të qartë politik dhe nuk përfaqëson vetëm interesat e vendeve të rezervuara. “Ne kemi kërkuar një marrëveshje politike të shkruar dhe një dakordancë të qartë që i referohet programit tonë 11-pikësh, të dorëzuar në mënyrë të detajuar për implementim,” tha ai.

Berisha shtoi se janë në kërkim të një ministrie që do të mundësonte zbatimin e këtij programi, siç është Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale nëse rikthehet, apo edhe Ministria e Arsimit. Ai nënvizoi se përgjegjësia institucionale është thelbësore për të ndikuar realisht në jetën e komunitetit që përfaqësojnë. Bisedimet, sipas tij, po vazhdojnë dhe ende nuk ka një marrëveshje finale.