“Veç pak m’leni qëtu, veç pak”, – thoshte e qante!

Para 1 vit

“Veç pak m’leni qëtu, veç pak”, – thoshte e qante!

Jo, s’donte të shtrihej, sado që qepallat i rëndoheshin e trupi nuk i rehatohej.

– Cacitu nëpër dhomën e vogël! – i thoshte vetes. – Shtyj nyjet e lodhura e mos i shqit sytë nga televizori. Dëgjoje brengën rinore, se të tilla ka me qindra në këtë atdhe të larë me gjak dëshmorësh!

Ai po ecte dyshemesë pas mesnatës, si fëmija kur mëson të hedhë hapat e parë.

Gjoksi i shtrëngohej nga një rrëfim që po ia ngjallte një tjetër histori, shumë vite më parë. Donte ta dëgjonte fije për fije, copë-copë, të këputur e të lagur me lot, sa herë djaloshi provonte t’i lidhte mendimet nyje-nyje!

“Kam ecur rrugëve të errëta… – thoshte mes të qarash. – Gabimisht e vrava zemrën e prindërve. Mora tëposhtën dhe s’munda të ndaloja te gardhi, as te muri”!

– Mjegulla e pasluftës ia kishte zhbërë djaloshit rrugët. Lakmitarët e njollosën imazhin e shtetit të pavarur me bimët narkotike, që futeshin me thasë nga shteti amë. Rinia pinte hashash edhe nëpër rrugët e katundit.

Poeti ndiqte rrëfimin në një reality show televiziv dhe e ndiente gjoksin të ngushtohej nga dhimbja.

Në ekran, djaloshi po takonte prindërit e tij në një dhomë me mjegull të bardhë akulli.

Ai përqafoi të atin, ia puthi rrudhat e ballit, sytë, faqet. Pastaj iu hodh në grykë nënës dhe qau me ngashërim. Lokja ia lëmoi shpatullat.

– Çoje kokën, biri im! – i tha ajo butësisht. – Dua të t’i shoh sytë… Mos më bëj të qaj edhe unë!

Por ai nuk lëvizi. Gjëmonte në kraharorin e saj e thoshte:

– Lermë edhe pak të pushoj në gjoksin tënd, se më ka mbytur malli! Ju s’e dini se unë jetoj vetëm për ju. Dua t’iu bëj të lumtur, tha dhe vazhdoi vajin n’gjoksin e nënlokës!

Pas mes natës, djaloshi 24-vjeçar, me lotët që i rridhnin faqeve, tha: – Prindërve mos ua vrani zemrat, se ata bënë gjithçka për neve!

Sa e trishtuar ajo që pa një baba poet! Sa e rëndë për një brez të rritur mes lakmisë e zhvatjës!

– Flij!
Harroje djaloshin që digjet nga malli, se ai i ka dekadat përpara… ndërsa ty të janë shembur urat e të shkuarës! – pëshpëriti poeti i lodhur për gjumë, dhe i fiki dritat.

26.03.2025