Uniforma zyrtare për identifikimin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është përzgjedhur dhe ka nisur të shitet që para tre muajsh, por çmimi i saj prej 350 eurosh ka ngjallur reagime të shumta. Kjo shumë është më e lartë se një pension i plotë mujor që marrin veteranët, prej të cilëve mbi 37 mijë janë të papunë.
Kërkesa kryesore e veteranëve është që uniforma, e dizajnuar dhe e prodhuar nga Ferid Berisha, i njohur me nofkën komandant “Shkupi”, të financohet nga shteti dhe të mos mbetet barrë për ish-luftëtarët.
Sipas Berishës, çmimi është diktuar nga sasia dhe nga fakti që uniformat prodhohen në Turqi. Ai shton se për realizimin e këtij projekti ka punuar për tre vjet dhe se kjo uniformë është menduar si simbol i nderit dhe identifikimit të atyre që kanë qenë pjesë e luftës.
“E kuptoj shqetësimin e bashkëluftëtarëve të mi. Realisht është çmim i lartë për dikë që nuk ka të ardhura, por jam i gatshëm të bashkëpunoj me këdo që dëshiron të ndihmojë në mobilizimin për blerjen e uniformave për të gjithë veteranët,” u shpreh Berisha.
Ai thekson se uniformat janë të dedikuara vetëm për ish-luftëtarët e vërtetë të UÇK-së, ndonëse edhe të tjerët mund t’i blejnë. Për këtë është duke u hartuar një draft-rregullore, e cila do të përcaktojë kush mund ta bartë uniformën dhe në çfarë rrethanash.
Rregullorja pritet të miratohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila tashmë ka dhënë aprovimin për modelin e uniformës.
