Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë “pozitive” telefonike me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe se të dy palët janë pajtuar të rinisin bisedimet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
“Ekipet tona respektive do të takohen shpejt në një lokacion që do të përcaktohet,” ka shkruar Trump në rrjetin e tij Truth Social, duke shtuar se bisedimet kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje për tarifat dhe furnizimet globale me mineralet e rralla të tokës.
Palën amerikane në negociata do ta përfaqësojnë Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick dhe përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer.
Sipas Ministrisë së Jashtme kineze, thirrja mes liderëve është iniciuar nga vetë presidenti Trump. Ai ka theksuar se Xi Jinping e ka ftuar me mirësjellje për një vizitë në Kinë, ndërsa Trump ka dhënë një ftesë reciproke për vizitë në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, Trump ka pranuar se është vështirë të arrihet marrëveshje me homologun e tij kinez. “Më pëlqen presidenti Xi, gjithmonë më ka pëlqyer, por është shumë i ashpër dhe jashtëzakonisht i vështirë për të bërë marrëveshje me të,” ka shkruar ai më herët.
Bisedimet tregtare kishin ngecur pas marrëveshjes paraprake të 12 majit për uljen e tarifave dypalëshe. SHBA-ja ka akuzuar Kinën për bllokim të eksporteve të mineraleve të rralla, ndërsa Pekini është shprehur i shqetësuar për kufizimet amerikane në eksportin e çipave të avancuar dhe vizat për studentët kinezë.
