Një grua ka humbur jetën të hënën pasdite pasi ka rënë nga kati i nëntë i një ndërtese në rrugën “Tahir Zemaj” në Fushë Kosovë.
Viktima është identifikuar si Sh. Mustafa, 46 vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se rreth orës 16:20 është pranuar njoftimi për rastin tragjik.
“Rreth orës 16:20, kemi pranuar informatën se një person (femër) ka rënë nga një objekt në rrugën ‘Tahir Zemaj’, në Fushë Kosovë dhe e njëjta ka vdekur. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, tha Ahmeti.
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Autoritetet pritet të dalin me më shumë detaje në ditët në vijim.
