Serbia arreston një tjetër qytetar nga Kosova – Behar Preniqi ndalohet në kufi me pretendime për pjesëmarrje në UÇK

Para 9 muaj

Fushata e arrestimeve nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës po vazhdon me intensitet. Behar Preniqi, një qytetar nga Kosova, është arrestuar nga policia serbe teksa po kthehej nga Gjermania nëpërmjet pikës kufitare Bajakovo, që lidh Kroacinë me Serbinë.

Arrestimi u krye me pretendimin se ai ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – diçka që është mohuar nga familjarët e tij. Lajmi është konfirmuar për Klan Kosova nga vetë familja e Beharit, e cila thekson se ndalimi është bërë “pa asnjë arsye të ligjshme”.

Një familjare e Preniqit ka deklaruar:

“Po, është e vërtetë. Është ndaluar pa arsye. Nuk kemi asnjë informacion, e as kontakt se ku mund të pyesim. Behari e ka gruan në Gjermani dhe ka udhëtuar disa herë atje me liberalizim. Ai nuk ka dokumente gjermane.”

Sipas saj, Behari ishte duke udhëtuar me një mik nga Anglia, i cili është liruar menjëherë, ndërsa ai është ndalur dhe mbajtur nga autoritetet serbe. Ajo shton se në kohën e luftës Behari ishte ende fëmijë, dhe asnjëherë nuk ka qenë pjesë e UÇK-së.

“Behari nuk e ka thyer kurrë ligjin, nuk ka bërë asnjë problem. Madje as në stacion policie s’ka qenë ndonjëherë,” theksoi ajo.

Ky është vetëm një rast tjetër në serinë e ndalimeve që po kryhen ndaj qytetarëve nga Kosova, me akuza të pazakonshme e të pabazuara, që sipas familjarëve dhe aktivistëve, përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut dhe akt provokues politik.

Institucionet kosovare ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me arrestimin e Behar Preniqit.