Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar se në tremujorin e dytë të vitit 2025, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar 784.9 milionë euro, që është 105.8 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, shpenzimet ishin 679.1 milionë euro, thuhet në publikimin zyrtar të Llogaritjes Qeveritare për TM2 2025 nga ASK.

Sipas ASK-së, pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve (28%); kontributet sociale dhe përfitimet (26%); formimi i kapitalit bruto (15%); dhe konsumi i ndërmjetëm (14%). Ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.
Ky publikim paraqet edhe pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.

Sipas ASK-së, gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në TM2 2025 ishin 972.6 milion euro, derisa të hyrat në TM2 2024 ishin 782.6 milion Euro.
“Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë: tatimet në produkte që paraqesin 64%; tatimet rrjedhëse në të ardhura (16%); aktivet dhe detyrimet financiare (10%). Ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”, thuhet në komunikatën e ASK-së.


