Ministrja Haxhiu dënon ashpër dhunën në familje: “Krim i patolerueshëm që kërkon ndëshkim maksimal”

Para 10 muaj

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas një rasti të rëndë dhune në familje, duke e cilësuar aktin si një krim të patolerueshëm që duhet të ndëshkohet me ashpërsinë më të madhe të ligjit. Në një deklaratë publike, ajo shprehu dhimbjen dhe indinjatën e saj për rastin tragjik që tronditi opinionin publik.

“Dhuna, në çfarëdo forme, është e papranueshme. Fëmijët kanë të drejtën e patjetërsueshme të jetojnë të sigurt dhe të mbrojtur,” deklaroi ministrja, duke theksuar nevojën për përgjigje të menjëhershme institucionale në raste të tilla.

Në rolin e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Haxhiu ka shprehur ngushëllime për familjarët e vajzës së ndjerë dhe ka uruar shërim të shpejtë për vajzën e mbijetuar, e cila po trajtohet në institucionet mjekësore.

Ajo bëri të ditur se institucionet janë angazhuar në trajtimin urgjent të rastit dhe në ofrimin e mbështetjes së nevojshme për të mbijetuarën.