Izraeli godet 10 spitale dhe klinika në Gaza brenda një jave

Para 11 muaj

Të paktën 10 spitale dhe klinika në Rripin e Gazës janë goditur nga sulmet izraelite gjatë javës së fundit, duke shkaktuar mbyllje të pjesshme ose të plotë të shërbimeve dhe duke e mbingarkuar edhe më tej sistemin shëndetësor që tashmë është në kolaps, raportoi të shtunën gazeta Haaretz.

Sulmi ndaj Spitalit Europian në Khan Younis shënoi fillimin e operacionit të intensifikuar tokësor të Izraelit, të njohur si operacioni “Qerret e Gideonit”, i cili u miratua nga Kabineti i Sigurisë së Izraelit më 4 maj dhe u nis më 18 maj, sipas gazetës izraelite.

“Këto sulme e rritën ndjeshëm presionin mbi sistemin shëndetësor në kolaps të Gazës,” thuhet në raport, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë në Gaza që njofton se 400,000 persona kanë mbetur pa qasje në shërbime mjekësore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dokumentoi 28 sulme ndaj spitaleve në të gjithë enklavën javën e kaluar, apo 4 për qind e të gjitha sulmeve ndaj spitaleve që nga fillimi i ofensivës.

“Sulmet ushtarake në Gaza po e çojnë sistemin shëndetësor drejt kolapsit,” paralajmëroi OBSH në rrjetin X, duke theksuar se 94 për qind e spitaleve kanë pësuar dëme të mëdha ose janë shkatërruar.

Vetëm 19 nga 36 spitalet në enklavë janë ende të paktën pjesërisht funksionale, shtoi OBSH, duke nënvizuar se “spitalet nuk duhet të militarizohen apo të jenë objektiva”.

Katër spitale kryesore u detyruan të mbyllen javën e kaluar për shkak të goditjeve të përsëritura, urdhrave për evakuim dhe luftimeve të ashpra.

Izraeli pretendon se luftëtarët e grupit të rezistencës palestineze, Hamas, fshihen brenda spitaleve – një justifikim që përsëritet vazhdimisht nga ushtria.

Që nga fillimi i ofensivës kundër Gazës më 7 tetor 2023, Izraeli ka goditur në mënyrë të përsëritur objektet mjekësore, duke dëmtuar rëndë sistemin shëndetësor dhe duke rrezikuar mijëra pacientë, sipas burimeve të OKB-së dhe palestineze.

Në të njëjtën kohë, Izraeli ka mbajtur një bllokadë ndaj ndihmave që nga 2 marsi, duke zbatuar një politikë që vëzhguesit e përshkruajnë si urie të qëllimshme sistematike, që ka çuar në uri dhe vdekjen e shumë civilëve.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë