Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 shkurt 2025 ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së parburgimit ndaj të dyshuarve V.A., P.Sh., L.A dhe G.H., të dyshuar për rastin e dhunimit të së miturës në shkurt të këtij viti. Katër të dyshuarit gjenden nën masën e paraburgimit.
E mitura në këtë rast ishte viktimë e dhunimit edhe në tri raste të tjera, ndërsa rasti i saj njihet si “Rasti i 11-vjeçares”. Për këtë rast, janë ngritur dy aktakuza me 13 të akuzuar. Kurse, për rastin e tretë të dhunimit të viktimës dyshohen tre persona të tjerë, të cilët po ashtu gjenden nën masën e paraburgimit.
Sipas kërkesë së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se V.A., më 1 shkurt 2025 në një motel në fshatin Shkabaj, Komuna e Obiliqit, me qëllim që të shfyrëzojë seksualisht të miturën (tani 14-vjeçe)- viktimë e ndjeshme, derisa ka qenë duke punuar si pastrues në motel dhe duke qenë në dijeni se është e vetme në një dhomë dhe nuk kishte mundësi të gjente strehim tjetër pasi që ishin orët e vona të natës, fillimisht i dërgon pije në dhomë viktimës dhe pastaj i organizon takim me dy persona tjerë ende të paidentifikuar përmes marrjes së përfitimeve, të cilët pasi paraqiten në motel kryejnë marëdhënie seksuale me të miturën.
