Hetime në Liqenin e Ujmanit: Telat e zhytur s’janë të lidhur me rrymë, nuk ka rrezik për qytetarët

Para 9 muaj

Policia e Kosovës ka zhvilluar hetime lidhur me pretendimet për praninë e telave elektrikë të zhytur në Liqenin e Ujmanit, të cilët u raportua se mund të përbënin rrezik për jetën e qytetarëve.

Pretendimet u bënë publike më 30 korrik nga kryetari i Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës, i cili gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje deklaroi përmes mediave se kishte vërejtur tela të zhytur në ujë, për të cilët dyshohej se mund të jenë të rrezikshëm nëse aktivizohen.

Sipas Policisë së Kosovës, Drejtoria Rajonale në Mitrovicën e Veriut, e autorizuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, ka intervistuar personin në cilësinë e dëshmitarit dhe ka pranuar gjithashtu një video si provë. Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë përkatëse të Kontrollit Kufitar Ujor kanë dalë në terren për të bërë verifikime.

“Pas kontrollit, është konstatuar se telat e përmendur nuk ishin të lidhur me ndonjë burim të energjisë elektrike dhe si të tillë nuk përbëjnë rrezik për qytetarët”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjithashtu, Policia ka theksuar se nuk është raportuar më parë ndonjë rast i ngjashëm që lidhet me rrezikshmëri nga tela elektrikë në këtë zonë.

Prokuroria Themelore ka përfunduar se në këtë rast nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale, dhe për rrjedhojë nuk do të ndërmerren procedura të mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka bërë thirrje për qetësi, duke garantuar se çdo informacion apo rast i dyshuar do të trajtohet me seriozitet të plotë. Po ashtu, janë paralajmëruar patrullime të rregullta në Liqenin e Ujmanit për të garantuar sigurinë publike.