Begaj në OKB takon presidentin e Ganës, konfirmohet njohja e Kosovës

Para 7 muaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar me presidentin e Ganës, John Dramani Mahama, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

 

Në një postim në platformën “X”, Begaj bëri të ditur se biseduan për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, si dhe për konfirmimin e njohjes së Kosovës nga ana e Ganës.

“Sot në OKB, u takova me presidentin e Ganës, JDMahama, për të diskutuar avancimin e bashkëpunimit tonë dypalësh dhe shumëpalësh, si dhe për të konfirmuar njohjen e Kosovës nga ana e Ganës. Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës,” shkroi Begaj.

Gana e kishte njohur Kosovën në vitin 2012, por në vitin 2019 ishin raportuar lajme për tërheqjen e mundshme të kësaj njohjeje .