Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ardian Kastrati, ka bërë të ditur se nuk është më pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Deklarata u bë publike gjatë një interviste në Klan Kosova, ku Kastrati kritikoi ashpër lidershipin aktual të partisë.
“Nuk jam më në PDK”, tha shkurt Kastrati, duke komentuar edhe takimin e fundit mes kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ai theksoi se një veprim i tillë është në kundërshtim me parimet dhe moralin e PDK-së. “Nuk është në moralin e PDK-së me u taku me njerëz që e kanë sha UÇK-në”, deklaroi ai.
Kastrati pohoi gjithashtu se kjo është hera e dytë që, sipas tij, Memli Krasniqi i bën favore Kurtit. “Me një Memli Krasniqi në krye të PDK-së, edhe 1 mijë vjet Albin Kurti duhet mos me qenë i shqetësuar, a po e sheh se çfarë favoresh i bën. Ideja në garën politike është me i fitu zgjedhjet, jo me dalë i dyti”, përfundoi ai.
