Një zyrtar policor i Njësisë së Trafikut në Prizren, Remzi Pulaj, është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një qytetari, të cilin fillimisht e kishte ndaluar për një kundërvajtje në trafik.
Sipas burimeve të Klankosova.tv, Pulaj dyshohet se e ka grushtuar qytetarin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Rasti ndodhi të dielën dhe u raportua menjëherë në IPK, ku hetuesit kanë ndërmarrë veprime konkrete – përfshirë analizimin e kamerave të sigurisë, marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe intervistimin e zyrtarit të dyshuar.
Pas konsultës me Prokurorinë Themelore në Prizren, ndaj policit të dyshuar është urdhëruar arrestimi dhe ndalimi për 48 orë, ndërsa është suspenduar nga detyra.
Hetimet përfshijnë dyshimet për “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim të rëndë trupor”.
🔸 Vërejtje ligjore: Zyrtari i përmendur konsiderohet i pafajshëm derisa gjykata të japë një vendim të formës së prerë.
