Zyrtarë të SHBA-së do të jenë të pranishëm në sallën e Gjykatës Speciale gjatë dëshmisë së një dëshmitari në mbrojtje të Hashim Thaçit

Para 8 muaj

Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit të Gjykatës Speciale në Hagë, kur Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, do të nisë me paraqitjen e provave dhe të dëshmitarëve të saj.

Sipas dokumenteve gjyqësore, SHBA-të kanë kërkuar vendosjen e një sërë kushtesh sipas Rregullës 107, që lidhen me dëshminë e një dëshmitari të identifikuar me kodin 1DW-003. Këto masa përfshijnë:

  • Kufizimin e fushëveprimit të ekzaminimit direkt vetëm në tema të përcaktuara;
  • Kufizimin e kundër-ekzaminimit në temat e ekzaminimit direkt dhe në çështje që lidhen me besueshmërinë e dëshmitarit;
  • Të drejtën e dëshmitarit për të refuzuar përgjigje për arsye konfidencialiteti;
  • Praninë e përfaqësuesve të qeverisë amerikane gjatë dëshmisë.

“Një kërkesë formale për këto masa do të dorëzohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në dokument.

Po ashtu, më 18 gusht 2025, Mbrojtja ka marrë miratimin e SHBA-së për deklaratën dhe dëshminë e këtij dëshmitari. Megjithatë, amerikanët kanë vendosur kufizime mbi pyetjet që mund t’i bëhen dëshmitarit dhe kanë kërkuar të jenë prezent personalisht gjatë marrjes në pyetje.

Për këtë çështje pritet të ketë diskutim të zgjeruar në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ku do të zbardhen më shumë detaje rreth rolit të SHBA-së dhe zhvillimeve në procesin ndaj Thaçit në Hagë.