Zyrtare së shpejti? Arsenali arrin marrëveshje me yllin e Valencias, Cristhian Mosquera

Para 9 muaj

Arsenali nuk ka ndërmend të ndalet këtë verë në merkato. Pas transferimeve të Zubimendit, Norgaardit dhe portierit Kepa Arrizabalaga, “Topçinjtë” janë shumë pranë goditjes së radhës: Cristhian Mosquera, mbrojtës i talentuar i Valencias.

Sipas raportimeve të medieve spanjolle dhe britanike, Arsenali ka arritur një marrëveshje personale me lojtarin, ndërsa është në bisedime të avancuara me Valencian për të finalizuar transferimin. Klubi spanjoll ka refuzuar një ofertë të parë prej 14 milionë euro, ndërkohë që kërkon 20 milionë euro, aq sa është edhe klauzola e largimit të Mosqueras.

20-vjeçari, që ka shkëlqyer sezonin e kaluar në La Liga dhe është pjesë e Spanjës U21, ka refuzuar të rinovojë kontratën me Valencian, duke treguar hapur dëshirën për t’u transferuar në Premier League.

“Në Emirates, ai do të jetë pjesë e një mbrojtjeje të fortë, përkrah Salibas dhe Gabriel Magalhães, si pjesë e projektit ambicioz të Mikel Artetës për sezonin e ri,” raportojnë burime nga Standard.co.uk dhe AS.

Mosquera shihet si një nga talentet më premtues në repartin defensiv të futbollit spanjoll dhe kalimi i tij në Londër pritet të zyrtarizohet së shpejti, nëse Arsenali pranon të aktivizojë klauzolën prej 20 milionë euro.