Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtare të Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Glloboçicë, me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Sipas IPK-së, zyrtarja dyshohet se ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar sistemin e të dhënave policore për të regjistruar dhe verifikuar një shtetas të Republikës së Serbisë, i cili në fakt nuk ishte fare prezent në atë pikë kufitare. Verifikimi dyshohet se ishte bërë për të kontrolluar nëse personi ishte në kërkim policor.
Me vendim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të dyshuarës i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa është rekomanduar edhe suspendimi i saj nga detyra.
Hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim e sipër.
