Zyra e Medias e Qeverisë së Gazës ka njoftuar se më shumë se 65,000 fëmijë janë shtruar në spitale si pasojë e kequshqyerjes akute, ndërsa rreth 1.1 milion persona po përballen me uri të përditshme për shkak të bllokadës së vazhdueshme izraelite.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia turke Anadolu, Zyra ka akuzuar Izraelin për përkeqësimin e situatës humanitare dhe për “rrezikimin e jetës së qindra mijëra fëmijëve, grave dhe të moshuarve”, për shkak të mungesës së ushqimit, ilaçeve dhe ujit të pastër.
“Izraeli po përdor urinë dhe etjen si armë sistematike lufte kundër civilëve, në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar humanitar,” thuhet në deklaratë.
Zyra ka bërë thirrje për rihapjen e menjëhershme dhe pa kushte të të gjitha kalimeve kufitare në Gaza për të mundësuar hyrjen e ndihmës emergjente humanitare, me theks të veçantë për fëmijët dhe pacientët në gjendje kritike.
Që nga 2 marsi, kalimet kufitare kryesore janë mbajtur të mbyllura nga Izraeli, duke ndërprerë furnizimin me ushqim, ilaçe dhe ndihma humanitare. Situata është përkeqësuar më tej pas rifillimit të ofensivës izraelite më 18 mars, duke ndërprerë një armëpushim dhe marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve të arritur më 19 janar.
