Kantonet Gjenevë, Vaud dhe Cyrih renditen në krye të listës së zonave me numrin më të madh të personave që zotërojnë pasuri mbi 50 milionë franga zvicerane. Rreth 2,500 tatimpagues në mbarë vendin pritet të preken nga iniciativa “Për të Ardhmen”, e cila do të votohet më 30 nëntor dhe parasheh një taksë prej 50% mbi trashëgimitë që tejkalojnë këtë shumë.
Sipas Le Matin Dimanche, rreth një e treta e këtyre multimilionerëve jetojnë në rajonin e Liqenit të Gjenevës – 400 në Gjenevë dhe 350 në Vaud. Në fund të renditjes janë Fribourg, Jura dhe Neuchâtel.
Ndërkohë, SonntagsZeitung thekson se “kampioni” i super të pasurve është kantoni Nidwalden, me 22 persona mbi 50 milionë franga për çdo 10,000 banorë, i ndjekur nga Zug dhe Schwyz.
Numri i multimilionerëve në Zvicër është dyfishuar në 20 vitet e fundit, duke arritur në mbi 2,500 në vitin 2021. Megjithatë, sipas sondazhit të parë të SSR, mbi 60% e zviceranëve pritet ta refuzojnë iniciativën, ndërsa përkrahja më e madhe vjen nga Zvicra frankofone dhe italofone.
