Pesë kompani marrin licenca dhe autorizime të rëndësishme – përfshirë edhe një projekt solar prej 100 MW
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur sot një mbledhje, në të cilën janë miratuar disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me sektorin e energjisë në Kosovë.
ZRRE ka licencuar tre operatorë për furnizim me energji elektrike për një periudhë pesëvjeçare. Kompanitë që morën licencën janë: Norwegian PX Kosovë SH.P.K, Be Power dhe Energy for Change L.L.C.
Në të njëjtën mbledhje, operatori Energy Development Group Kosova L.L.C mori licencën për prodhim të energjisë elektrike, ndërsa kompania LINDJA SOLAR L.L.C mori Autorizimin për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga energjia diellore, me kapacitet 100 megavat (MW).
Udhëheqësi i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit në ZRRE, Ymeridin Misini, bëri të ditur se projekti i LINDJA SOLAR është në përputhje me kërkesat për energji të ripërtëritshme dhe se kapaciteti prej 100 MW do të realizohet përmes paneleve solare.
Ndërkohë, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, theksoi se ky projekt është një nga të parët që kalon përmes procedurave konkurruese, në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian.
“Ky është një prej projekteve të para që ka kaluar përmes procedurave konkurruese, që është kërkesë e BE-së,” deklaroi Fejzullahu.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme, ZRRE ka lëshuar autorizim për vetë-konsum për 50 aplikues, duke hapur rrugë për rritjen e investimeve në energji të pastër dhe decentralizimin e burimeve të energjisë.
