Zjarri që ka përfshirë fshatrat Kalasë, Tatzat, Senicë, Vergo, Kopaçëz dhe Palavli në Njësinë Administrative Vergo, bashkia Delvinë, vijon të jetë aktiv dhe jashtë kontrollit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe rrezik serioz për jetën e banorëve.
Vatra kryesore ndodhet aktualisht në kodrën përballë fshatit Palavli dhe në zonën mbi baxhon e fshatit Kopaçëz, ndërsa dyshohet se flakët janë përhapur edhe në malin mbi Borsh.
Si masë sigurie, autoritetet kanë evakuuar rreth 2.000 banorë nga gjashtë fshatrat e prekur për të shmangur pasojat fatale.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka djegur 11 banesa dhe kishën e fshatit Senicë, Shën Dhimitri, një objekt me rëndësi historike dhe shpirtërore për komunitetin lokal. Po ashtu, janë dëmtuar sipërfaqe të mëdha toke bujqësore, pemëtari, ullishte dhe një pjesë e konsiderueshme e blegtorisë.
Tre persona kanë pësuar djegie trupore dhe janë trajtuar nga ekipet mjekësore. Strukturat e emergjencës dhe forcat zjarrfikëse vijojnë të jenë në terren për të lokalizuar dhe kontrolluar vatrat e zjarrit, ndërsa situata mbetet kritike.
Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të larguar nga zonat e rrezikuara dhe të bashkëpunojnë me ekipet e shpëtimit për çdo zhvillim të mëtejshëm.
