Zhivojin Nesiq dënohet me 15 vjet burg për krime lufte dhe dhunim seksual në Kosovë

Para 0 vit

Prishtinë, 17 qershor 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Zhivojin Nesiq për krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë. Ai është dënuar me 15 vjet burgim, njofton “Betimi për Drejtësi”,

Sipas aktgjykimit, Nesiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të panjohur të forcave serbe, ka kryer veprën penale ndaj një viktime civile gjatë kohës së luftës.

Gjykatësja Namani-Hajra bëri të ditur se në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 5 mars 2024.

Me vendim të veçantë, Gjykata vendosi vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit deri në momentin kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, pas së cilës do të ekzekutohet dënimi me burgim.

Ky është një nga rastet e rralla të gjykimit dhe dënimit për krime lufte në Kosovë, që trajton drejtpërdrejt krimet seksuale të kryera gjatë konfliktit të viteve ’98–’99.