Zgjerohet vaksinimi kundër HPV në Kosovë, përfshihen të rinjtë deri në 26 vjeç

Para 29 ditë

Prishtinë: Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se është aprovuar zgjerimi i grup-moshave për vaksinimin kundër HPV, duke përfshirë të rinjtë deri në moshën 26 vjeç që nuk janë vaksinuar më parë.

Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, personat nga 26 deri në 45 vjeç mund të vaksinohen vetëm me rekomandim të mjekut, ndërsa vaksinimi rutinë për fëmijët 11–12 vjeç vazhdon sipas kalendarit ekzistues.

Autoritetet shëndetësore theksojnë se vaksina kundër HPV është e sigurt dhe efektive, duke ndihmuar në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me këtë virus. Vaksinimi do të ofrohet në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në qendrat rajonale të shëndetësisë publike në gjithë vendin.