Zgjedhjet lokale në Kosovë më 12 tetor: Kush nuk mund të kandidojë?

Para 10 muaj

Prishtinë | Qershor 2025 – Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor 2025, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur përgatitjet për këtë proces të rëndësishëm demokratik.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se më 26 qershor do të hapet zyrtarisht afati për aplikimin dhe certifikimin e subjekteve politike, të cilat synojnë të marrin pjesë në garën për kryetarë të komunave dhe anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Por kush nuk ka të drejtë të kandidojë në këto zgjedhje?

Kush përjashtohet nga kandidimi?

Sipas zëdhënësit Elezi, një kandidat nuk mund të garojë nëse është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vitet e fundit, për një vëpër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve nga i cili KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, tha Elezi.

Verifikimi i kandidatëve

Për të siguruar përputhshmërinë ligjore të listave zgjedhore, KQZ do të bashkëpunojë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), për të verifikuar çdo kandidat të mundshëm që mund të jetë në kundërshtim me këtë nen ligjor.

Ky proces konsiderohet thelbësor për integritetin e zgjedhjeve dhe për të garantuar që vetëm persona të ligjshëm dhe të pastër ligjërisht të jenë në garë për pozitat publike.

Zhvillimi i mëtejmë i përgatitjeve do të përcillet nga afër nga redaksia jonë. Për më shumë informacione rreth aplikimit dhe afateve zgjedhore, qëndroni të informuar me përditësimet zyrtare të KQZ-së.