Zgjatet paraburgimi për Hashim Thaçin me dy muaj të tjerë

Para 10 muaj

Gjykata në Hagë vlerëson se ende ekzistojnë rreziqe për pengim të drejtësisë dhe sigurinë e dëshmitarëve

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur të zgjasin për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Vendimi është marrë më 11 qershor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Thaçi po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Gjykata vlerësoi se ekziston ende rrezik për arratisje, pengim të procedurave dhe ndikim ndaj dëshmitarëve, sidomos tani që Thaçi ka qasje të plotë në provat dhe identitetin e dëshmitarëve të viktimave.

Prokuroria ka përmendur gjithashtu aktakuzën ekzistuese ndaj Thaçit për përpjekje për të penguar drejtësinë, si arsye shtesë për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Nga ana tjetër, ekipi mbrojtës ka kundërshtuar vazhdimin e paraburgimit, duke theksuar se nuk ekziston rrezik real për arratisje dhe se dëshmitarët e ardhshëm janë kryesisht ekspertë ndërkombëtarë. Megjithatë, trupi gjykues ka konstatuar se rreziqet mbeten të pranishme dhe ka vendosur të mos e ndryshojë masën.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të bashkëakuzuarve ndodhet në fazën aktive. Prokuroria ka përfunduar paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa pritet të vazhdojë me paraqitjen e mbrojtjes. Aktakuza ndaj tyre, e paraqitur për herë të parë më 2020 dhe më pas e ndryshuar, përfshin dhjetë pika të lidhura me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në disa lokacione në Kosovë. Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.