Prishtinë, 14 korrik 2025 – Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka deklaruar se nëse Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk i ka më 61 votat në Kuvend, atëherë duhet të lëshojë rrugë dhe të hapet rruga për një zgjidhje politike, përfshirë zgjedhjet e parakohshme ose formimin e një qeverie të re.
Në një intervistë në emisionin dpt te Fidani, Zemaj theksoi se është obligim i LVV-së të kërkojë kompromis dhe të mos e mbajë peng vendin nëse nuk ka shumicë parlamentare.
“Unë mendoj që duhet të bëhet zgjidhja. Lëvizja Vetëvendosje e ka për obligim ta gjejë kompromisin dhe nuk e di sa më është mirëkuptuar edhe njëherë një deklaratë dhe tash po e them, duhet të lëshojë rrugë,” tha Zemaj.
Ai shtoi se nëse partia në pushtet nuk ka votat e nevojshme për të mbajtur Qeverinë, atëherë ekzistojnë dy alternativa: ose shkuarja në zgjedhje të parakohshme, ose mandatimi i një koalicioni tjetër që mund të sigurojë shumicën në Kuvend.
“Nëse nuk i ka 61 vota dhe ndihet e rrezikuar që nuk i ka as për Qeveri, është mirë të lëshojë rrugë. Ose krijohet mundësia për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, ose mandatohet një koalicion tjetër që i arrin votat për Qeveri,” u shpreh ai.
Zemaj sqaroi gjithashtu se LDK-ja nuk ka diskutuar për çështjen e emrit apo për ndonjë formulë specifike për ndërrimin e pushtetit, por theksoi se disa grupe politike kanë sjellë ide të ndryshme në këtë drejtim.
