Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se pati një “takim të mirë” sot në Itali me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance, dhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio. Takimi u përqendrua kryesisht në zhvillimet e fundit lidhur me përpjekjet për paqe në konfliktin me Rusinë.
Sipas Zelenskyt, treshja diskutoi mbi bisedimet e së premtes në Stamboll, të cilat ai i përshkroi si zhgënjyese për shkak të përfaqësimit të ulët nga pala ruse. “Rusia dërgoi një delegacion të nivelit të ulët pa kompetenca vendimmarrëse”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke përsëritur kritikat e tij se Moska nuk po i merr seriozisht negociatat e paqes.
“Konfirmova gatishmërinë e Ukrainës për diplomaci të mirëfilltë dhe theksova rëndësinë e një armëpushimi të plotë dhe të pakushtëzuar sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Zelensky, duke vënë në pah qëndrimin e Kievit për paqe.
Në fund të deklaratës, presidenti ukrainas falënderoi popullin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme: “Falënderoj popullin amerikan për mbështetjen dhe udhëheqjen e tyre në shpëtimin e jetëve”.
Takimi në Itali shënoi gjithashtu një moment të veçantë në marrëdhëniet mes Zelenskyt dhe JD Vance, pasi ishte hera e parë që ata u takuan që nga përplasja e tyre në Zyrën Ovale në shkurt. Atëherë, Vance e kritikoi liderin ukrainas për, siç u raportua, “mungesë mirënjohjeje” ndaj ndihmës së SHBA-së.
