Zelensky paralajmëron: Rusia po planifikon luftë, jo paqe

Para 1 vit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia po përgatitet për faza të reja të luftës me qëllime ofensive, duke hedhur poshtë çdo shpresë për diplomaci apo paqe në një të ardhme të afërt.

“Sot mbajta një takim me Shtabin e Përgjithshëm. Pati raporte të inteligjencës – shumë të hollësishme. Diskutuam situatën e përgjithshme: luftën, qëllimet e Rusisë, kapacitetet e saj ushtarake dhe industriale, si dhe mundësitë tona për të ushtruar presion mbi Rusinë”, tha Zelensky, sipas mediave ukrainase.

Ai theksoi se, sipas të dhënave nga inteligjenca ukrainase dhe burime të hapura, presidenti rus Vladimir Putin dhe rrethi i tij nuk po shqyrtojnë seriozisht ndonjë zgjidhje paqësore. Përkundrazi, ai tha se ka prova të mjaftueshme që Rusia po përgatitet për operacione të reja ushtarake.

“Rusia shpreson që kjo luftë të vazhdojë. Kjo është një shpërfillje e hapur ndaj gjithë atyre që kërkojnë paqe dhe zgjidhje diplomatike”, shtoi ai.

Zelensky tha gjithashtu se partnerët ndërkombëtarë të Ukrainës kanë të njëjtën pamje të situatës përmes shërbimeve të tyre të inteligjencës, dhe u bëri thirrje që të mos injorojnë këto fakte, por t’i adresojnë me seriozitet në nivel udhëheqësie.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar më 23 maj se Rusia do t’i propozojë Ukrainës një draft dokument për zgjidhjen e konfliktit, pas përfundimit të një shkëmbimi të burgosurish. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur tensionet janë në rritje dhe perspektiva për bisedime mbetet e paqartë.