Zbulim i rëndësishëm arkeologjik në Amantia: Zbulohet muri rrethues i qytetit ilir

Para 7 muaj

Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik është bërë në Parkun Arkeologjik të Amantias. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se arkeologët kanë identifikuar për herë të parë murin rrethues të qytetit të poshtëm të Amantias – një strukturë e panjohur deri më tani.

Sipas të dhënave paraprake, mendohet se fortifikimi është ndërtuar në shekullin III para Krishtit dhe është shkatërruar në shekullin VI pas Krishtit. Ky zbulim, siç u shpreh Rama, hedh dritë mbi organizimin urban dhe funksionin publik të qytetit ilir, duke shtuar një kapitull të ri në historinë e tij antike.

Përveç zbulimit, janë ndërmarrë edhe ndërhyrje restauruese për mbrojtjen e varreve monumentale dhe punime konservuese mbi monumentet e zbuluara në vitet e fundit, duke e pasuruar më tej peizazhin arkeologjik të parkut.

Parku i Amantias vazhdon të dëshmojë rëndësinë e tij si një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Ilirisë së Jugut.