Një zbulim arkeologjik i jashtëzakonshëm në rajonin e Drenasit ka konfirmuar për herë të parë praninë e njerëzve modernë në territorin e Kosovës që para 50–60 mijë vjetësh. Zbulimi është bërë nga një ekip i përbashkët i Universitetit të Tübingen-it në Gjermani dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës.
“Gjetëm atë që po kërkonim. Kemi dëshmi të njerëzve të hershëm që jetonin në Kosovë ndoshta rreth 50,000 vjet më parë – dhe e kemi gjetur atë,” deklaroi Prof. Dr. Harald Floss për Klan Kosova. Ai shtoi se gërmimet nuk janë bërë në shpellë, por në një vend të hapur në rajonin e Drenasit.
Zbulimi i përket periudhës së Paleolitit të Mesëm, e cila deri më tani nuk ishte dokumentuar në Kosovë. Sipas arkeologut Luan Gashi, ky është një prej momenteve më të rëndësishme për arkeologjinë kosovare dhe do të pasohet nga publikime shkencore të detajuara.
Projekti është financuar nga Ministria e Kulturës dhe përfaqëson një moment historik në studimin e hershmërisë së jetës në Kosovë.
