Vuqiq: Serbia po armatoset fuqishëm – a duhet të shqetësohet Kosova?

Para 10 muaj

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ushtria e vendit të tij është aktualisht “më e fuqishme se kurrë më parë”, duke theksuar se për vite me radhë janë bërë blerje të konsiderueshme të pajisjeve ushtarake në fshehtësi.

Në një intervistë për televizionin serb Prva, Vuçiq tha se vetëm një numër shumë i kufizuar zyrtarësh kanë qenë të informuar për përforcimet ushtarake të ushtrisë serbe.

“Janë më së shumti pesë persona që dinë saktësisht çfarë kemi sjellë. Kemi bërë ndryshime të mëdha për ushtrinë, që janë mbajtur të fshehura”, tha Vuçiq, duke paralajmëruar një paradë të madhe ushtarake në shtator, ku sipas tij do të prezantohet “çfarë zotëron realisht Ushtria e Serbisë”.

Sipas Vuçiqit, kapacitetet e reja ushtarake janë vendosur për të forcuar mbrojtjen e vendit. Ai i përshkroi forcat serbe si “tmerrësisht goditëse”.

Në intervistë, presidenti serb u ndal edhe te marrëveshja e nënshkruar më 18 mars ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, për të cilën tha se e sheh si përpjekje për krijimin e një aleance ushtarake, duke përmendur edhe ftesën për Bullgarinë që t’i bashkohet këtij bashkëpunimi.

Megjithatë, deklarata zyrtare e marrëveshjes trepalëshe e përshkruan atë si një iniciativë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes për të përballuar sfida të përbashkëta rajonale, pa ndonjë synim për formimin e ndonjë aleance ushtarake.